Administrata Trump publikoi të premten vizatimet e reja për një hark triumfi të propozuar, një strukturë prej 76 metrash që parashikohet të ngrihet mbi një rreth trafiku pranë Varrezës Kombëtare të Arlingtonit në Uashington.
Monumenti, i emërtuar zyrtarisht “Harku i Pavarësisë”, është pjesë e një nisme më të gjerë të Presidentit Donald Trump për të rimodeluar peizazhin arkitekturor të kryeqytetit dhe për të shënuar 250-vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.
“Harku Triumfi në Memorial Circle do të jetë një nga pikat më emblematike jo vetëm në Uashington, por edhe në të gjithë botën,” tha Davis Ingle, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. “Ai do të pasuroj përvojën e vizitorëve në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit, për veteranët, familjet e të rënëve dhe të gjithë amerikanët, duke shërbyer si kujtesë vizuale e sakrificave fisnike të shumë heronjve amerikanë gjatë 250 viteve të historisë sonë.”
Sipas dokumenteve të projektimit të paraqitura të premten nga Departamenti i Brendshëm pranë Komisionit të Arteve të Bukura, struktura kryesore e harkut do të arrijë një lartësi prej 50 metrash. Projekti parashikon gjithashtu dy shqiponja të arta prej 7 metrash të vendosura mbi piedestale, si dhe një figurë me krahë të Zonjës së Lirisë, e lartë 18 metra, që mban një pishtar në majë të harkut.
Komisioni i Arteve të Bukura është planifikuar të shqyrtojë propozimin në një mbledhje të javës së ardhshme.
Kalimi i brendshëm i harkut do të ketë një gjerësi prej rreth 17 metrash, afërsisht sa katër korsi automjetesh, dhe do të ngrihet deri në 33 metra lartësi nga ana e brendshme. Kjo e kalon lartësinë e Memorialit të Lincolnit, i cili arrin 30 metra dhe ndodhet në brigjet e kundërta të lumit Potomac, drejtpërdrejt paralel me strukturën e propozuar.
Mbishkrimi “Një Komb Nën Zot” do të gdhendet me shkronja të arta në krye të harkut. Katër luanë të artë do të vendosen mbi piedestale në secilën cep të bazës. Projekti parashikon gjithashtu dy taraca vëzhgimi në nivelet e sipërme, njëra prej të cilave do t’i dedikohej publikut të gjerë.
Vendi i propozuar është Memorial Circle, një rreth trafiku i vendosur pikërisht brenda kufirit të Rrethit të Kolumbisë. Zona bie nën kuadrin rregullator të Ligjit për Veprat Përkujtimore, i cili rregullon standardet e zhvillimit në atë pjesë të qytetit.

