Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se konflikti me Iranin është “pranë fundit”, duke parashikuar njëkohësisht një rënie të ndjeshme të çmimeve të karburantit. Ai paralajmëroi se ekonomia amerikane do të ndjejë efektet e krizës, por se kjo do të jetë e përkohshme. Trump pohoi gjithashtu se një marrëveshje me Teheranin mund të arrihet deri në fund të muajit prill.
Presidenti amerikan dha deklarata të rëndësishme në lidhje me situatën e tensionuar me Iranin, duke prekur si zhvillimet ushtarake ashtu edhe pasojat ekonomike të konfliktit.
Në një intervistë televizive, Trump pranoi se ekonomia e Shteteve të Bashkuara do të përballet me pasoja të drejtpërdrejta nga luftimet, por shprehu besimin se tregjet financiare do të kthehen shpejt në normalitet. Sipas tij, pasiguria ekonomike e shkaktuar nga konfliktet e armatosura është zakonisht e kalimtare.
Lideri amerikan vlerësoi gjithashtu se çmimet e karburantit pritet të bien ndjeshëm dhe në mënyrë të shpejtë. Ai shprehu bindjen se kjo ulje do të jetë e dukshme para zgjedhjeve të ardhshme të ndërmjetme të Kongresit amerikan, të planifikuara për vitin 2026.
Lidhur me rolin e Iranit në rajon, Trump deklaroi se kishte penguar ambiciet e Teheranit për të ushtruar ndikim të gjerë në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar operacionin ushtarak si të suksesshëm dhe të ashpër.
Megjithatë, toni i presidentit ishte edhe pragmatik. Ai la të kuptohet se çdo zgjidhje diplomatike me Iranin kushtëzohet rreptësisht nga çështja bërthamore: nëse Teherani nuk heq dorë nga synimet për të zhvilluar armë bërthamore, nuk do të ketë asnjë marrëveshje.
“Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, theksoi ai me vendosmëri.
Ky qëndrim është në vijimësi të plotë me politikën e administrates Trump ndaj Iranit, politikë e cila që nga mandati i parë i presidentit (2017-2021) është mbështetur në sanksione ekonomike dhe presion maksimal diplomatik, pas braktisjes së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 të njohur si JCPOA.
Trump shprehu optimizëm se një zgjidhje negociuese mes dy vendeve mund të arrihet brenda muajit prill, ndonëse nuk dha detaje mbi formatin apo gjendjen aktuale të bisedimeve.

